Në një artikull të publikuar sot nga rrjeti prestigjioz CNN, Shqipëria është renditur në vendin e parë mes 26 shteteve pjesëmarrëse në Eurovizionin 2025. Nën titullin “The good, the bad and the raunchy: All 26 Eurovision songs, ranked from worst to first”, gazetari Rob Picheta rendit performancat duke përfshirë koment dhe analizë të veçantë për secilën.
Kënga shqiptare “Zjerm” e interpretuar nga Shkodra Elektronike, u vlerësua si më e spikatura dhe më e veçanta e këtij viti, duke lënë pas edhe emra të njohur si Austria, Franca dhe Finlanda. Sipas CNN, performanca e dyshes shqiptare – një zonjë me paraqitje të fortë dhe një zotëri pa flokë – është “aq unike, saqë duket si një përplasje e dy botëve që nuk duhej të takoheshin kurrë, por që në fakt funksionon.”
Gazetari citon një nga anëtarët e grupit, Beatrice Gjerjil, që thekson: “Emocionet janë të mëdha, skena është e madhe, presioni është i madh… është e madhe!” Pavarësisht se nuk janë fansa të mëdhenj të Eurovizionit, grupi po merr vëmendje të merituar nga publiku evropian për qasjen e tyre autentike dhe artistike.
Në vend të dytë renditet Austria me “Wasted Love”, ndjekur nga Finlanda me këngën e zjarrtë “Ich Komme”. Lista vazhdon me Francën, Zvicrën dhe Suedinë në top 10, ndërsa vende si Armenia, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania mbeten në fundin e renditjes.
Renditja e CNN është e mbështetur në vlerësime artistike, mesazhe muzikore dhe ndikimin emocional të performancave në skenën e madhe të Basel-it, ku këtë vit po zhvillohet finalja e madhe.


