I thjeshti në madhështi Dhimitraq Xhambazi, futbollisti që e nisi nga rrugicat për të lartësuar 18 vite ngjyrat e Skënderbeut.
Futbolli i fëmijërisë i nisur në rrugicën e lagjes me gjunjë të vrarë e të gjakosur, dhe që të ngre ndër më të mirët e këtij sporti popullor, në Korçë ka për shembull të veçantë Dhimitraq Xhambazin. I çmuar si një nga ikonat e futbollit në këtë qytet, Dhimitraq Xhambazi është një nga të rrallët futbollistë “bio” që ka nxjerrë Korça, dhe për më tepër që nga fillimi i karierës dhe deri në fund të saj i mbeti veçanërisht besnik ngjyrave të Skënderbeut për 18 vite.
“Sportin e futbollit e kam filluar në rrugë që fëmijë 6-7 vjeç me mëhallat. Luanim pa pushim, shkonin të shikonim ndeshjet në stadium dhe pas tyre të frymëzuar luanin sërish” kujton fillimet e tij të pasionit për top këmbën Dhimitraq Xhambazi.
Talenti i tij ra shpejt në sy dhe shpejt e afruan në ekipet zinxhir të Skënderbeut. Si çdo fillestar që nuk harron kurrë ata që i dalin krah, Xhambazi përmend me nderim trajnerët e parë dhe njëkohësisht mësuesit e edukimit fizik Maqo Prodani dhe Stavri Tole.
Mirënjohje shpreh për trajnerin e njohur korçar Kosta Koça që shumë shpejt e aktivizoi me ekipin e para të rinjve të Skënderbeut. Pa kaluar 6 muaj kaloi me ekipin e të rinjve. ” Ishte një periudhë korrik-gusht kur nxënësit shkonin në aksione hekurudhave. Unë nuk u përfshiva dhe në mungesë të disa lojtarëve të tjerë “përfitova” që të nis të muaj me ekipin e të rinjve” tregon Xhambazi.
Nuk e harron se rastësia ka qënë që ndeshjen e parë me të rinjtë dhe të rriturit e ka luajtur kundër Elbasanit, ose Labinoti siç mbante emrin atëhere. Ende njëmëzak, rreth 18 vjeç ishte, kur në vitin 1969 trajneri Ilia Shuke e aktivizoi për pjesën e dytë të lojës me ekipin e të rriturve të Skënderbeut kundër Elbasanit. “Aq i emocione kisha sa mu errën sytë dhe luaja vetëm me ngjyrat e shokëve të skuadrës që atë kohë ishin bluza vishnje” kujton paraqitjen e parë zyrtare me Skënderbeun Dhimitraq Xhambazi.
Loja e tij e spikatur tekbiko-taktike me topin shpejt tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e trajnerëve të tjerë. Kur e grumbulluan me ekipin Kombëtar të Shpresave në vitet 1970-1971, i dukej si një ëndërr. Ndërsa me ekipin kombëtar të të rriturve kreu vetëm zbroret e stërvitjeve dy javore, pasi nuk arriti të përfaqësohej. “Më bëri ftesë ekipi i Dinamos por nuk shkova në Tiranë se atë kohë përfundova maturën dhe më doli e drejta e studimit për Autonomi në Fakultetin Bujqësor të Korçës. Ndoshta ky do të ishte kapërcimi im në karrierë si futbollist, por nuk jam pishman se qëndrova në Korçë e dhashë gjithçka për Skënderbeun” shprehet Dhimitraq Xhambazi.
Si sulmues ekstrem i majtë, me një mjeshtëri teknike të përdorimit të topit, dhe sidomos në goditjet e dënimit, shënoi fillimisht 9 gola në kampionat me Skënderbeun. Në sezonin futbollistik 1976-1977 kur tundi rrjetën e portave kundërshtare me 16 gola do të shpallej golashënuesi më i mirë, por në ndeshjen e fundit nuk realizoi dot, ndërsa rivali i tij Përnaska, siç thuhet i toleruar, shënoi dy herë ndaj Lokomotivës së Durrësit dhe u shpall më i miri me një gol më shumë.
Për trofetë që la aritur me Skënderbeun Dhimitraq Xhambazi veçon si kulme daljen në finale në Kupën e Republikës dhe titullin nën kampion. “Ishte e vështirë në atë kohë të zije vend në formacion te Skënderbeu me futbollistë më me emër dhe më të mëdhenj në moshë si Koço Dinella, Teodor Vaso, Dembo e Shule. Por, përkushtimi, pasioni dhe puna me sakrifica të panumurta me stërvitje nga mëngjesi në darkë të gjithëve ne na dha rezultat. Në të gjithë karierën time te Skënderbeu, asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend të le stërvitjen qoftë edhe një ditë, për çfardo lloj shkaku” pohon Dhimitraq Xhambazi.
Siç njihet në gjuhën e futbollit, në vitin 1982 i vari këpucët në gozhdë. U tërhoq nga futbolli i luajtur, por jo nga trajnimi. Së bashku me Dion Kushe bëri trajnerin me një sërë ekipesh të të rinjve të Skënderbeut për gati një dhjetvjeçar.
Sepse futbolli për atë që e mësoi këtë sport rrugicave të Korçës ishte dhe mbetet gjithçka. Edhe tani që jep opinionet e tij si specialist futbolli, dhe një nga pengjet që ka për ekipin e zemrës, Skënderbeun, është “dënimi me vdekje” i dhënë me afat 10 vjeçar nga qeveria europiane e futbollit UEFA.
Sidoqoftë, Dhimitraq Xhambazi ndihet i plotësuar në kontributin që ka dhënë vetëm për ngjyrat e Skënderbeut, si dhe në vlerësimet e mirënjohjen që ka marrë e përjeton çdo ditë nga respekti i qytetarëve korçarë. I shpallur ” Mjeshtër Sporti” i vlerësuar me tituj nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Bashkia Korçë, Dhimitraq Xhambazi thotë se e ka ndier kudo vlerësimin.
Ndoshta mund të kishte shkëlqyer më tepër ylli i tij, dhe të kishte të tjera trofe për të përmendur, ndonëse kur shkon fjala për meritat si futbollist nuk “del nga shinat” e modestisë së tij. Dhe për vlerat qytetare që tregon, mbi ato si ikonë e futbollit korçar, Dhimitraq Xhambazi është thjeshtësia e madhështisë.