Strukturat e hetimit të Policisë vijojnë punën për evidentimin dhe dokumentimin e rasteve të veprave penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin V. S., banues në Korçë. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar veprime të vetëgjyqësisë, duke dëmtuar banesën e motrës së tij, me pretendimin se i përket atij.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë u bë shpallja në kërkim e shtetasit S. F., 33 vjeç, banues në Korçë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është larguar nga banesa në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Materialet procedurale në lidhje me këto raste i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.


