Një 27-vjeçar nga Tepelena është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në fshatin Drenovë të Korçës, pasi u kap duke transportuar me automjet 11 emigrantë të paligjshëm. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migrimin Korçë, sipas së cilës operacioni i koduar “Borders” u finalizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i arrestuari është shtetasi me iniciale J. S., i cili po i dërgonte emigrantët drejt Shkodrës me qëllim kalimin e tyre ilegal drejt Malit të Zi. Emigrantët e kapur, nga të cilët 10 nga Bangladeshi dhe 1 nga Pakistani, kishin hyrë më parë ilegalisht në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Kapshticës. Në kuadër të të njëjtit hetim, janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, shtetasit F. S., 31 vjeç nga Fieri, dhe G. H., 58 vjeç nga Lushnja, të cilët dyshohet se bashkëpunonin në këtë veprimtari kundrejt pagesës.
Hetimet për rrjetin e transportit të emigrantëve ilegalë
Gjatë veprimeve procedurale, shërbimet e policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin me të cilin kryhej transporti, si dhe 1 aparat celular. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ndërkohë, strukturat e DVKM Korçë po vijojnë punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie.


