Policia e Korçës ka proceduar penalisht dy shtetas të dyshuar për zjarrvënie në zona me bimësi natyrore, duke shkaktuar dëme mjedisore.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi J. Ç., 60 vjeç, nga fshati Vinçan, dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina, por për shkak të përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me bimësi. Në një rast tjetër, shtetasi M. Gj., 71 vjeç, banues në Goricë të Madhe, dyshohet se ka ndezur qëllimisht zjarr në një sipërfaqe tjetër me bimësi, në territorin e fshatit të tij.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, ndërsa hetimet vijojnë.
Policia apelon qytetarët të tregojnë kujdes maksimal në përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura, pasi pasojat për mjedisin dhe komunitetin mund të jenë të rënda.


