Imzot Evllogjio Kurilla dhe klerikë të tjerë ortodoksë në Korçë 1937.
Evllogjio Kurilla u lind në Ziçisht të Korçës në vitin 1880. Qysh 14 vjeç mërgoi në Greqi, ku u arsimua, shkroi e vdiq (1961). Ky ishte ai që në vitet 30, së bashku me Pandeli Kotokon, u parashtrua si emër kyç nga pala greke, si kusht për njohjen e autoqefalisë së kishës shqiptare. Si rrjedhojë Evllogji u fronëzua peshkop i Korçës në vitin 1937, duke lënë katedrën e profesorit të historisë në Universitetin e Selanikut.
Në vitin 1939, mbas një vizite në Greqi, iu ndalua hyrja në Shqipëri, me vendim të qeverisë italiane, gjë që e përherësoi qeveria shqiptare e pasluftës. Në botën greke Kurilla u shfaq fillimisht si veprimtar politik, murg kaçak në Athos e Maqedoni, komandant çete në Egjipt, më vonë arkivist e regjistrues dorëshkrimesh nëpër bibliotekat e manastireve, por mbi të gjitha hulumtues e autor i shumë punimeve e librave historiko-filologjikë, si dhe profesor i Universitetit të Athinës (1942-1949).
Edhe pse i identifikuar politikisht me Greqinë, Kurilla vetëthirrej atje si shqiptar, gjë që e përsërit me forcë në shkrimet e tij. Në të njëjtën kohë, vetë ai dëshmonte me sinqeritet se ishte grek. Të dy cilësimet e tij – shqiptar në Greqi e grek në Greqi – janë pjesë e leximit të Kurillës, i cili nuk e pranonte kategorizimin e “vorioepirotit”, ndryshe nga bashkëkohësit e tij shqiptarë e grekë që ishin lindur në Shqipëri e vepronin në Greqi, fakt që e bën atë edhe më të veçantë në mendimtarinë e rajonit.
Qarqe zyrtare në Shqipëri duket se përkojnë sot me Evllogji Kurillën, me atë model ardhmërie, por duke iu shmangur gjithmonë formulimeve publike. Edhe pse nuk i përmendet kombësia, nga shqiptarët ai merret si shqiptar, por i një soi tjetër, i një cilësie të dëshiruar në heshtje. Gjithsesi, konfliktualiteti midis besimit fetar dhe përkatësisë shqiptare duket prej tyre se ka filtruar pa dhimbje te Kurilla. Ndërsa për grekët që veprojnë hapur në Shqipëri, ish-peshkopi i Korçës është shembulli i volitshëm për përftim e përfitim në mision.
Kurilla nuk botoi në shqipe. Vepra albanologjike e tij në greqishte, si fragment i një korpusi botimesh në disa disiplina, u botua në periodikë e libra më vete, titujt e të cilëve renditen më poshtë (fillimisht të përkthyer shqip e në vijim në origjinal):
Studime shqiptare-Përkthimi i Dhjatës së Re në shqipe [Me nëntitull “i Grigor Gjirokastritit dhe i Kostandin Kristoforidhit, shqyrtuar nga pikëpamja gjuhësore, hermineutike dhe dogmatike, si dhe mbi dialektin greko-shqiptar”] (Ευλόγιος Κουρίλας Λαυριώτης: Αλβανικαί Μελέται – Η Μετάφρασις της Καινής Διαθήκης εις το Αλβανικόν, 1933);
Grigor Gjirokastriti- Përkthyesi i Dhjatës së Re në shqipe (Ευλογίου Κουρίλα Λαυριώτη: Γρηγόριος ο Αργυροκαστρίτης, ο Μεταφραστής της Καινής Διαθήκης εις το Αλβανικόν, 1935);
Voskopoja dhe Akademia e Re e saj [Me nëntitull, “dhe origjina e kucovllehëve, si dhe kultivimi i gjuhës së tyre”] (Ευλογίου Κουρίλα Λαυριώτη, Η Μοσχόπολις και η Νέα Ακαδημία αυτής, 1935);
Pushteti i së vërtetës (Ευλογίου Κουρίλα, Μητροπολίτου Κοριτσάς, Τακτικού Καθηγητού του Εθνικού Πανεπιστημίου, Το Κράτος της Αλήθειας, 1944).
Teksti burimi: Foti Cici


