Skënderbeu kërkon vazhdimësinë. Pas rezultateve pozitive të javëve të fundit dhe lojës bindëse, skuadra korçare do të ketë një finale në shtëpi, siç është sfida me Laçin. Të dyja ekipet janë në luftë për mbijetesën dhe sfida në Korçë, merr rëndësi të veçantë.
Këtë e pranoi edhe trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, i cili vlerësoi kundërshtarin dhe tha se ndaj Laçit do të jetë një përballje shumë e vështirë.
“Është ndeshje e vështirë, sepse Laçi është një ekip kompakt. Çdo ndeshje është e vështirë. Laçi ka objektivat e saj për të mos rënë nga kategoria.”
Gjoka theksoi se Skënderbeu ka treguar sinjale të mira në ndeshjet e fundit dhe synon të lihen pas problematikat e së kaluarës.
“Skuadra është përgjigjur ndryshe kohët e fundit. Duam të lëmë mbrapa problematikat. Kjo javë ka qenë një javë ku skuadra është përgjigjur në të gjitha aspektet.
Nuk kanë qenë rastësi ndeshjet ndaj Dinamos. Në kampionat me pak kujdes, mund të kishim dalë me fitore.”, deklaroi trajneri Ernest Gjoka.
Ndeshja Skënderbeu-Laçi do të luhet në Korçë ditën e hënë, duke nisur nga ora 17:00.