Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit që përfshijnë volejbollisten braziliane Nayara Ferreira, duke theksuar se disponon të gjithë dokumentacionin dhe korrespondencën përkatëse me ekipin Dinamo Volley dhe është në pritje të përmbushjes së detyrimeve përkatëse ndaj komunitetit të volejbollit, për zgjidhjen e këtij rasti.
FSHV siguron opinionin publik se do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të procesit, ndërsa shpreh shqetësimin për përdorimin e këtij rasti sportiv si pretekst për shkelje të të drejtave të individëve apo komuniteteve të caktuara.
Në njoftim theksohet se Federata ka zbatuar me rreptësi të gjitha procedurat ligjore dhe statutore, në bashkëpunim me KOKSh, si dhe me partnerët ndërkombëtarë FIVB dhe CEV.
Ndërkohë, Bordi Drejtues i FSHV-së ka referuar pranë Komisionit të Disiplinës rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike të bëra nga disa drejtues të shoqatës Dinamo Volley, në media dhe rrjete sociale. Federata u bën thirrje të gjithë palëve të përfshira të vetëpërmbahen nga deklaratat dezinformuese apo dashakeqe, që dëmtojnë bashkëpunimin institucional.
Në përfundim, FSHV rikujton se është organ përgjegjës për zhvillimin dhe organizimin e volejbollit në Shqipëri, dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe statutin e saj.


