nga Ledjan Zeqollari
Kur koloneli francez Andre Ordioni, i cili komandoi regjimentin e 372-të të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore në zonën e Mokrës dhe Gorës, i thurte lavde Gurit të Kamjes, të cilin e quante “Safir” gur i çmuar. Në letrën që i dërgonte të bijës më 21 janar 1919, ndër të tjera shkruante:
“Vitin e kaluar atëhere kur ne mendonim të suleshim në grykën e armikut i cili mban fort kuotën 2150, nyjen e fortë orografike që bashkon Guri e Topit me Gurin e Kamjes, regjimenti im fushoi poshtë tij nga 5 deri në 10 qershor. Në një shtyllë kurrizore shkëmbore ku ngrihen papritur dy shkëmbinj të mëdhenj, njëri prej të cilit është më i drejti dhe quhet “Safir”. Ndërsa tjetri ka më shumë formën e një tarrace të gjerë që e quajnë “Kështjella”. Në fakt ai nga larg ka fromën e një pamje mesjetare.
Pak me lart arrijmë tek “Safiri” një lloj monumenti i virgjër që arkitekti i një bote ferri e ka hedhur në ajër ashtu si Mikelanxhelo krijoi kubenë e Shën Pjetrit.
E kam dashur “Safirin” dhe banorët e këtyre anëve. Në brinjët, shpellat dhe thepisjet e tij kisha vendosur shumë nga ushtarët e mi pasi më parë largova banorët e tij që më shqetësonin si arinjtë, ujqit dhe shqiponjat të cilët s’paguanin aty asnjë lloji takse. E kam dashur “Safirin” sepse ai më ka lejuar të shoh dhe të hedh ndaj kundërshtarëve të regjimentit tim që u dha një goditje të tmerrshme nga e cila nuk ngritën kokë më.
E kam dashur “Safirin” për shkak të burimeve të shumta që më ka dhënë për të mbajtur gjallë njerëzit e mi atje në një pozicion të fshehtë dhe të domosdoshëm ku duhet të prisnin gjatë e të fitonin. E kam dashur “Safirin” sepse në ballin e tij kryelartë dhe shtatin madhështor ai i lejoi shpirtit tim që të ngrihej për një çast mbi rrethanat për t’ju afruar të Plotëfuqishmit që mund t’i kërkoja fitoren të cilën ai ma dha ashtu të bukur dhe rrezëlluese. Në fakt nga “Safiri” regjimenti dhe unë morëm gjithë fitoren tokësore për të shkuar drejt fatit triumfues.”
Letra është botuar në librin “Një oficer francez në Ballkan. Shqipëria dhe Maqedonia,1917-1925” i përshtatur nga nipi i tij, Dominique Danguy des Deserts.


