Për të, fjalët janë pak. Ashtu siç është edhe natyra e tij, fjalëpak dhe i thjeshtë deri në madhështi. Nuk mund të gjesh një term, një epitet apo cilësim për të përshkruar atë emocion që të ngjall muzika, zëri dhe shpirti plot dashuri i një artisti si Mihallaq Andrea. Fatkeqësisht, ky lloj emocioni nuk mund të përkthehet…
Kur e telefonuam për intervistën, në anën tjetër bashkë me zërin e ndjeshëm e mikëpritës, erdhën edhe tingujt e muzikës. E shkëputëm nga puna, nga studioja ‘e shenjtë’, aty ku kalon edhe pjesën më të madhe të ditës, duke krijuar vazhdimisht e duke mbajtur gjallë e gjithë pasion, këngën dhe muzikën e pastër e lozonjare korçare.
Është kantautor i dhjetëra e qindra lirikave të dashurisë, disa prej të cilave janë bërë tashmë të ‘pavdekshme’, siç është edhe ajo e titulluar “ Ta dish ti ç’pësoi kjo zemër”. Kur e nisi muzikën, i shtyrë edhe nga familja, nuk mendoi se krijimet e tij do të shkonin përtej rrethit shoqëror. Kaluan çdo pritshmëri, pasi përveç përjetësimit të emrit si ikonë e muzikës së dashurisë dhe serenatave, mes dhjetëra vlerësimeve, ai është dekoruar edhe me titullin ‘Mjeshtër i Madh’.
Në fund të muajit maj u ngjit në skenën e Teatrit A.Z.Çajupi, në një mbrëmje të paharruar për publikun, duke sjellë mjeshtërisht disa prej hiteve të vjetra, si dhe dy kompozime të reja. Në këtë intervistë, do të zbulojmë pak mbi emcionet që përjetoi nga ky rikthim, por edhe një pasion tjetër, jo aq të trumbetuar të Mihallaq Andreas, atë si autor librash, me dëshirën e madhe për të kontribuar sadopak për rininë por edhe për qytetarin korçar, që sipas tij meriton gjithnjë e më shumë.

Publiku, që siç jeni shprehur është inspirimi juaj, mbeti i mrekulluar dhe përshtypjet ishin mëse të mira nga koncerti i fundit. Pse vendosët të sillnit një koncert në këtë moment të jetës dhe si e përjetuat?
Të sjellësh një koncert në çdo moment të jetës është risi, është përkushtim. Koncerti skenik është i tjetërsueshëm nga ”skena” e një lokali apo dasme. Në dasma nuk kam shkuar asnjëherë, por edhe nëpër lokale shumë rrallë. Emocioni që të dhuron skena është i pakrahasueshëm. E çmoj më shumë përgjegjësinë sesa emocionin. Stili im i krijimit të këngëve është natyrisht inspirim i shpirtit korçar.
Keni rrëfyer se keni shpërfaqur talent për vizatimin në fëmijëri dhe pastaj dashuria juaj është bërë kënga dhe kitara. Nga ana tjetër keni ardhur edhe si autor i 3 librave. Çfarë e mbush shpirtin e një artisti si ju, dhe a janë këto të gjitha pasionet e jetës suaj, apo keni mbajtur diçka të fshehtë për veten?
Çfardo talenti të ketë njeriu, i vogël apo i madh në moshë duhet ta shfaqë doemos në mënyrën se çfarë përfaqëson talenti. I vogël vërtet kisha talent në vizatim dhe fitova të drejtë për të shkuar në Liceun Artistik në Tiranë, por s’munda për shkak të biografisë. Pastaj fillova kitarën duke marrë shkak nga një kitarë e vjetër e hedhur në një qoshe si edhe nga rrethi familjar. Babai këndonte shumë bukur. Edhe dajallarët luanin në kitarë e mandolina. Kënga korçare ishte ajo që zotëronte zërat dhe veglat muzikore…Kam shkruar këngë edhe përsëri vazhdoj të shkruaj për njerezit, për qytetarin korçar. Dhjetë vjeçarin e fundit fillova të shkruaj libra. Shihja që rinia e sotme dinë pak ose shumë pak për atë që ne kemi kaluar, një diktaturë të tmerrshme e të paparë në gjithë globin që linte pas vetëm vuajtje dhe mjerim. Dua të kontribuoj sadopak që rinia të kuptojë atë që ne kemi vuajtur dekada me radhë. Edhe ky kontribut më mbush shpirtin e më plotëson.
Cilësoheni si ikonë e serenatave korçare apo këngëtari i dashurisë. Keni marrë ju më shumë prej Korçës, apo i keni dhënë ju më shumë asaj?
Më së shumti i kam kënduar e kompozuar dashurisë dhe shpirtit korçar, aq të ndjeshëm e të dashuruar. Dhe natyrisht kam marrë më tepër nga qyteti im sesa kam dhënë. Qytetari korçar meriton shumë e më shumë dhe unë i përkushtuar vazhdoj të krijoj.
Studioja e regjistrimit është pjesë e pandarë e ditës. Me çfarë projektesh po merreni aktualisht dhe çfarë nuk i keni zbuluar akoma publikut?
Ne studion time muzikore, jo vetëm kompozoj këngë, por edhe shkruaj. Koha që kaloj aty është më tepër se 10 orë në ditë. Kohët e fundit u mora me koncertin, natyrisht, e tani fillova të shkruaj përsëri. Perveç tre romaneve të shkruara “Histori e njeriut me kitarë”, “Margarita” dhe “Deputeti” kam në duar një tjetër libër që po shkruaj… Jam pak më shumë se në fillimet e tij, por shpresoj që deri në vjeshtë apo edhe pak më pas, ta mbaroj. Sigurisht që unë jo vetëm shkruaj, prandaj edhe koha e përfundimit do të jetë më e gjatë.



