Disa fshatra të bashkisë Maliq po përfshihen në një projekt energjetik të rëndësishëm, i cili synon modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Projekti, i ndërmarrë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, parashikon zëvendësimin e shtyllave të vjetra druri dhe telave të amortizuar me shtylla betoni dhe rrjet elektrik me kabëll ABC.
Zona e Maliqit është përballur ndër vite me probleme në furnizimin me energji, për shkak të infrastrukturës së degraduar. Ky investim pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit për mijëra banorë.
Ermal Gjona, administrator i Njësisë Administrative Pirg, thekson:
“Në të gjithë territorin e bashkisë Maliq, nga ky projekt do të përfitojnë rreth 17 mijë banorë. Megjithatë, ka edhe familje të cilat, për momentin, nuk janë përfshirë në këtë fazë të investimit.”
Projekti energjetik i OSHEE-së nuk do të ndalet vetëm në Maliq. Ai do të shtrihet më tej edhe në fshatra të tjerë të qarkut Korçë, përfshirë zonat e Devollit, Ersekës dhe Pustecit, dhe pritet të përfundojë brenda këtij viti.
Ky investim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt garantimit të një furnizimi të qëndrueshëm dhe bashkëkohor me energji elektrike për zonat rurale.


