Një nga godinat më emblematike të Korçës, Ish-Senatoriumi, po i rikthehet qytetit me një funksion të ri, atë të përkushtimit ndaj arsimit, rinisë dhe inovacionit. Ndërtuar dhe dhuruar nga filantropi korçar Thoma Turtulli, ky objekt historik i shpëtoi rrënimit falë një ndërhyrjeje të plotë restauruese dhe tashmë po merr jetë sërish si pjesë e një vizioni afatgjatë për zhvillimin intelektual të qytetit.
Pas restaurimit të gjithanshëm, godina do të integrohet në projektin e Polit të Dijes, duke u shndërruar në një hapësirë funksionale moderne, ku do të ndërthuren tradita, edukimi dhe teknologjia. Ky transformim synon ta kthejë ish-Senatoriumin në një qendër referimi për brezat e rinj, duke i dhënë Korçës një pol të ri arsimor dhe kulturor.
Ish-Senatoriumi mbetet një vlerë e çmuar e trashëgimisë korçare, e cila rikthehet në shërbim të komunitetit pas dekadash në degradim. Transformimi i tij shënon një akt mirënjohjeje ndaj historisë dhe filantropisë së Turtullit, ndërsa krijon një mundësi të re për rininë dhe inovatorët e së ardhmes.


