Në kuadër të Ditës Botërore të Muzikës, Qendra për Hapje dhe Dialog në Rajonin e Korçës mirëpriti një aktivitet të veçantë kulturor, ku u mblodhën intelektualë, artistë dhe dashamirës të artit për të ndjekur një rrëfim të rrallë nga Prof. Dr. Josif Minga.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, mjeshtri ndau me publikun jo vetëm rrugëtimin e tij artistik dhe jetësor, por edhe mendimin e tij mbi rolin e muzikës si një mjet estetik dhe funksional në shërbim të shoqërisë.
Takimi u moderua me finesë nga shkrimtarja Gerta Bandilli, duke krijuar një hapësirë frymëzuese për dialog dhe ndarje emocionesh. Ngjarja ngjalli interes të madh te të pranishmit dhe u përjetua si një moment i çmuar reflektimi mbi fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit.


