Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin e gjelbër dhe në pikat e kalimit, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe krimeve ndërkufitare.
Në kuadër të kontrolleve dhe intervistimeve të thelluara, në hyrje të territorit shqiptar është ndaluar shtetasi P. H., 35 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Korçës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.
35-vjeçari u arrestua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme ligjore.


