Liqeni i Prespës është kthyer këtë fundjavë në epiqendrën e sporteve ujore dhe aventurës në natyrë, me mbajtjen e edicionit të radhës të Kayak Fest Albania 2025, festivali më i madh i këtij lloji në vend. Aktiviteti zhvillohet në plazhin publik të Pustecit, një hapësirë e ndërtuar rishtazi që ka nisur të tërheqë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Për tre ditë me radhë, pjesëmarrës nga Shqipëria dhe jashtë saj po shijojnë eksperienca unike me kayak, kanoe, kamping dhe aktivitete të shumta kulturore, përfshirë muzikën live dhe traditat lokale. Festivali po promovon njëherazi sportin, turizmin natyror dhe jetën aktive në një nga zonat më të bukura e ende të pazbuluara të Shqipërisë.
“Prespa ka shumë potencial për t’u kthyer në një destinacion ndërkombëtar për sportet ujore,” u shpreh një prej vizitorëve, duke theksuar përmirësimet në infrastrukturë dhe bukuritë natyrore të zonës. Të rinj të apasionuar pas aventurës shprehen entuziastë për kampimin buzë liqenit dhe shpresojnë që ky festival të kthehet në një traditë vjetore.
Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, theksoi se turizmi në zonë është në rritje të vazhdueshme, sidomos ai ndërkombëtar. “Prespa ka parë një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, por na duhet të përmirësojmë sistemin rrugor dhe kanalizimet për të pasur një impakt edhe më të madh,” u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e investimeve për të zhvilluar më tej potencialin turistik të zonës.
Në vitet e fundit, numri i bujtinave dhe strukturave akomoduese në Parkun Kombëtar të Prespës është shtuar ndjeshëm, duke reflektuar interesin në rritje për këtë perlë natyrore të Shqipërisë.


