Fshati Zaroshkë në bashkinë Pustec u shndërrua këtë vit në qendër të aventurës dhe sportit, duke mirëpritur edicionin e “Kayak Fest”, një ngjarje që bashkon adrenalinën e aktivitetit fizik me bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të një prej zonave më piktoreske të juglindjes së Shqipërisë.
Pjesëmarrësit, të apasionuar pas natyrës dhe sportit, përshkuan me kajak ujërat e kristalta të liqenit të Prespës, në një itinerar që varionte nga 2.5 deri në 5 kilometra, duke nisur nga plazhi i Zaroshkës dhe duke mbërritur deri në ishullin piktoresk të Maligradit.
Sipas organizatorëve të aktivitetit, Zaroshka është zgjedhur për pozicionin e saj strategjik dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ofron, duke kombinuar në mënyrë të shkëlqyer liqenin, malin dhe historinë.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, vlerësoi organizimin e këtij eventi, duke e cilësuar një kontribut të çmuar në pasurimin e ofertës turistike të zonës dhe në pozicionimin e Prespës si një destinacion të qëndrueshëm për turizmin natyror.
Për shumë prej pjesëmarrësve, “Kayak Fest” nuk ishte thjesht një sfidë sportive, por edhe një mundësi për t’u lidhur më thellë me natyrën dhe komunitetin lokal. Aktiviteti po merr gjithnjë e më shumë formën e një tradite që jo vetëm promovon turizmin e qëndrueshëm, por edhe ndihmon në zhvillimin e zonave ende të pashfrytëzuara mjaftueshëm të Shqipërisë.
Prespa, me ujërat e saj të kthjellët dhe historinë e pasur që mbart, po fitoi një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën e destinacioneve shqiptare për ata që kërkojnë jo vetëm pushime, por një përjetim të plotë natyror dhe kulturor.


