Në vijim të zhvillimeve të fundit që lidhen me aktivitetet e volejbollit në vend, Klubi Sportiv “Skënderbeu” ka reaguar me një komunikim zyrtar, duke theksuar rëndësinë e transparencës, barazisë në garë dhe respektimit të rregullave si bazë e çdo kompeticioni sportiv.
Në deklaratë, klubi korçar shprehet se beson në rolin e Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV) për të garantuar zhvillimin e kampionatit në përputhje me standardet ndërkombëtare (FIVB, CEV) dhe me rregulloret vendase, duke siguruar që të gjithë pjesëmarrësit të trajtohen me drejtësi dhe paanshmëri.
“Skënderbeu” shprehet mbështetës ndaj çdo vendimi që synon ruajtjen e integritetit të garës dhe forcimin e besueshmërisë së institucioneve, për sa kohë që këto masa zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha klubet dhe sportistët, vendas apo të huaj.
Në përmbyllje, klubi thekson se vetëm përmes bashkëpunimit institucional, dialogut të hapur dhe zbatimit korrekt të rregullave, mund të ndërtohet një kampionat më i fortë, më dinjitoz dhe përfaqësues për sportin shqiptar.


