Në kuadër të masave për garantimin e sigurisë ushqimore gjatë sezonit turistik, Shërbimi i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor ka ndërmarrë një sërë kontrollesh në subjektet që tregtojnë produkte brumi përgjatë shëtitores në qytetin e Pogradecit.
Kontrollet janë përqendruar në vlerësimin e kushteve higjeno-sanitare në ambientet e prodhimit dhe tregtimit, një element kyç për të garantuar shëndetin e konsumatorëve në një periudhë ku fluksi i vizitorëve rritet ndjeshëm.
Specialistët kanë marrë mostra të vajit të përdorur për gatim, për të kryer analiza profilaktike dhe për të evidentuar nëse përdorimi i tij është në përputhje me standardet e sigurisë. Gjithashtu, janë marrë mostra nga duart e punonjësve dhe nga enët e përdorura, me qëllim identifikimin e ngarkesës mikrobiale dhe parandalimin e çdo rreziku të mundshëm për shëndetin publik.
Ky aksion është pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit dhe parandalimit që NJVKSH Pogradec po zhvillon për një sezon veror të sigurt, duke theksuar rëndësinë e higjienës në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor.


