Policia Rrugore në Qarkun e Korçës ka intensifikuar patrullimet në të gjitha akset rrugore, me një vëmendje të veçantë në rrugët nacionale ku qarkullimi është më i dendur, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Patrullat janë shtuar gjithashtu edhe brenda qyteteve të Korçës dhe Pogradecit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore për qytetarët dhe vizitorët.
Gjatë javës së fundit, si rezultat i kontrolleve të rrepta, janë vendosur mbi 770 masa administrative, kryesisht për shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore.
Policia Rrugore bën apel për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve, duke kërkuar respektimin e rregullave të qarkullimit, në mënyrë që të parandalohet çdo aksident i mundshëm dhe të sigurohet një sezon veror i qetë dhe i sigurt për të gjithë.


