Në Korçë, Shoqata e Invalidëve të Punës nuk ka ende një zyrë funksionale, ashtu siç e parashikon ligji, duke e bërë të vetmen bashki nga 61 bashkitë e vendit që shfaq një mungesë të tillë vëmendjeje ndaj kësaj kategorie.
Shqetësimi është ngritur nga presidenti i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Korçës me rastin e zgjedhjeve të reja për përfaqësinë vendore.
“Në çdo vend, degët e Shoqatës së Invalidëve të Punës janë të pajisura me zyrë, vetëm në Korçë jo. Sipas informacioneve të mia, zyra të lira ka, por kjo është mungesë vëmendjeje nga instancat përkatëse,” është shprehur Omuri.
Gjatë këtij takimi, Omuri ka ngritur edhe shqetësimin për masën e ulët të pensioneve që marrin invalidët e punës.
“Sot një invalid pune merr një pension mujor nga 9 mijë deri në 16 mijë lekë, por në një familje me katër persona, mendoni si mund ta përballojnë jetesën. Kjo gjë nuk ndodh as në vendet e rajonit, të cilat kanë masën e pensionit disa fish më të lartë se ne. Ky është diskriminim. Ne jemi në negociata me qeverinë dhe presim që të rishikohen kërkesat tona,” theksoi Omuri.
Aktualisht, në Bashkinë Korçë janë të regjistruar rreth 3,500 invalidë të punës, ndërsa në nivel qarku numri i anëtarëve të shoqatës shkon mbi 7,000.


