5 Maji, Dita e Dëshmorëve është përkujtuar nga qytetarët korçarë në varrezat e dëshmorëve të Korçës ku kanë marrë pjesë deputetë, drejtues të pushtetit lokal, të familjeve të dëshmorëve, drejtues të policisë lokale dhe komunitetet fetare.
Fjalën e rastit e ka mbajtur kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo.
Kurorë në emër të deputetëve të juglindjes të vendit e kanë vendosur së bashku deputetët Niko Peleshi, Eni Zake, Ilir Pendavinji dhe deputetja e PD Sorina Koti.
Me pas, kurora me lule kanë vendosur prefekti i qarkut të Korçës, kryetari i bashkisë, kryetari i këshillit të qarkut, kryetari i bashkisë Maliq Gezim Topciu, kryetarja e këshillit bashkiak të Korçës Ana Verushi.
Gjithashtu, kurora e buqeta me lule në monumentin e Partizanit kanë vendosur drejtues të organizatave të veteranëve dhe luftës, drejtues të policisë dhe asaj të kufirit si dhe pjesëtarë të organizatave politike e shoqërore si dhe familjare të dëshmorëve.
Në varrezat e Korçës prehen 940 dëshmorë te atdheut.


