Bashkia e Korçës ka nisur një aksion të rëndësishëm për pastrimin e infrastrukturës ajrore të qytetit, duke u fokusuar në heqjen e kabujve të vjetër dhe të shpërndarë pa kriter nga kompanitë e internetit. Aksioni ka startuar nga Lagjja 12 dhe është pjesë e një plani të qëndrueshëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe pamjes urbane.
Kabujt në fjalë, shumë prej të cilëve janë jashtë funksioni, jo vetëm që nuk shërbejnë më për asnjë qëllim teknologjik, por edhe përbëjnë një ndotje vizuale për hapësirat publike, duke cenuar estetikën karakteristike të qytetit të Korçës.
“Ky proces kërkon kohë, durim dhe bashkëpunim, por jemi të vendosur ta çojmë deri në fund, lagje pas lagjeje”, thuhet në një njoftim zyrtar nga bashkia.
Qëllimi është që Korça të vijojë të jetë një model për pastërti, rregull dhe kujdes ndaj çdo detaji urban, ashtu siç është vlerësuar tradicionalisht.
Bashkia falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen në këtë proces, duke i ftuar të gjithë të kontribuojnë për një qytet më të pastër e më të bukur për të gjithë.


