Qielli i Korçës u kthye sërish në arenë spektakli gjatë fundjavës, teksa edicioni i 14-të i Kampionatit të Fluturimeve të Lira “Korça Open Air 2025” solli mbi qytetin emocionin, adrenalinën dhe bukurinë e sporteve ajrore. Për tre ditë me radhë, Korça u shndërrua në kryeqendrën e aventurës dhe fluturimeve të lira në Shqipëri, duke tërhequr dhjetëra pilotë dhe qindra vizitorë vendas e të huaj.
Ky aktivitet tashmë i kthyer në një traditë të dashur për qytetin, promovon jo vetëm sportin e fluturimeve të lira, por edhe potencialin turistik të Korçës dhe të gjithë rajonit juglindor. Këtë vit morën pjesë 40 garues nga vende të ndryshme të botës, të cilët sfiduan njëri-tjetrin në qiellin e pastër të qytetit, duke dhuruar pamje mahnitëse dhe emocione të paharrueshme për publikun.
Falë mbështetjes së Bashkisë së Korçës dhe Federatës Shqiptare të Sporteve Ajrore, ngjarja u zhvillua me organizim të shkëlqyer dhe standarde të larta sigurie, duke dëshmuar se Korça është tashmë një qendër e rëndësishme për sportet ajrore në vend.
Në përfundim të garës, u shpallën edhe fituesit e këtij edicioni:
Fanol Shala – 7 pikë
Victor Rodriguez Santamarta – 15 pikë
Migjen Shala – 16 pikë
Fluturimet, emocionet dhe bashkimi i komunitetit sportiv ndërkombëtar e bënë “Korça Open Air 2025” një tjetër sukses që e ngre edhe më lart emrin e qytetit si një destinacion të aventurës, kulturës dhe mikpritjes.


