Për dy netë me radhë, më 24 dhe 25 maj, Korça do të shndërrohet në kryeqytetin e ndjenjës dhe vargjeve poetike me zhvillimin e edicionit të 29-të të Festivalit Mbarëkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”. Poetë nga Shqipëria dhe nga vende të ndryshme të botës do të mblidhen në qytetin juglindor për të ndarë me publikun poezinë si formën më të pastër të emocionit dhe reflektimit.
Në çdo edicion, festivali ruan një simbolikë të veçantë, mbledhja e një peme nga një emër i njohur i poezisë shqiptare, si një gjurmë e qëndrueshme artistike në qytet. Këtë vit, frymëzimi i festivalit vjen nga vargjet e Asdrenit, poetit të himnit tonë kombëtar, të përzgjedhura nga vëllimi i tij “Rreze drite”.
Jorida Tollkuçi, drejtoreshë e bibliotekës publike “Thimi Mitko”, thekson rëndësinë që ky festival ka për trashëgiminë letrare dhe nxitjen e frymës poetike tek brezat e rinj.
Një juri profesionistësh do të vlerësojë krijimet pjesëmarrëse dhe do të ndajë pesë çmime për poetët më të spikatur.
I bashkëthemeluar nga liriku korçar Skënder Rusi, festivali vijon sot si një organizim i Bibliotekës Publike “Thimi Mitko”, me mbështetjen e Bashkisë Korçë, duke mbajtur gjallë traditën poetike të qytetit.


