Policia e Korçës ka kryer një sërë veprimesh procedurale ndaj disa shtetasve të përfshirë në shkelje të ndryshme ligjore.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë E. K., 45 vjeç, banues në Bilisht, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Po ashtu, procedim penal nisi edhe për E. S., 20 vjeç, që drejtonte automjetin pa leje drejtimi, si dhe për J. S., 31 vjeçe, e cila duke drejtuar makinën përplasi një biçikletë, ku u dëmtua E. Ç., 51 vjeçe, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Në Pogradec, nën hetim u vendos F. K., 66 vjeç, banues në Rrëmenj, pasi dyshohet se nga pakujdesia ka ndezur zjarr që dogji sipërfaqe toke me bimësi e pemë frutore.
Ndërkohë, në Korçë, procedim penal nisi për E. B., 49 vjeç, i cili me vetëgjyqësi dëmtoi derën e banesës së një 40-vjeçari.
Në Devoll, policia shpalli në kërkim A. D., 22 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, pasi dyshohet se i ka vjedhur një shumë parash një shtetasi, në banesë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për vijim të procedurave ligjore.


