Policia e Korçës ka vënë në pranga një 37-vjeçar të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Cross Border”, i zhvilluar katër ditë më parë për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Shtetasi D. M., 37 vjeç, u arrestua pas një pune hetimore disa javore, me metoda proaktive, për goditjen e rrjetit të trafikimit të lëndëve narkotike drejt shtetit grek. Më datë 29 tetor 2025, Gjykata e Korçës i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet kanë zbuluar se D. M. dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor i J. B., 46 vjeç, i cili u kap gjatë operacionit në fshatin Vishociçë, Devoll, duke transportuar 16 kilogramë kanabis, me destinacion Greqinë.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.


