Divorcet po shndërrohen në një fenomen në rritje dhe shqetësues në qarkun e Korçës, me një numër gjithnjë e më të madh çiftesh që i drejtohen gjykatës për zgjidhje martese. Sipas të dhënave zyrtare nga gjykata e Korçës, gjatë vitit 2023 janë regjistruar 750 kërkesa për divorc, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2022, kur ishin vetëm 402 të tilla. Rritja e kërkesave ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas profesionistëve të fushës, një ndër shkaqet kryesore të këtij trendi është emigrimi. Në shumë raste, çiftet që jetojnë të ndarë fizikisht për vite me radhë krijojnë marrëdhënie të reja dhe kthehen në Shqipëri vetëm për të formalizuar ndarjen.
“Ne kemi çifte që kanë 2-3 vite të veçuar fizikisht, që kryejnë marrëdhënie të dyta dhe kur vijnë këtu thonë se kemi disa vite të ndarë. Emigrimi, pra largësia është problemi kryesor dhe fëmijët që nuk marrin pensionet,” – tha një avokate që ndjek raste divorci në qytet.


