Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit, ku një grua 52-vjeçare, Kozeta Teco, është gjetur pa shenja jete brenda banesës së saj, e përfshirë nga flakët.
Fillimisht, policia dyshoi se shkak i vdekjes mund të ishte asfiksia nga zjarri, por më pas hetimet morën një tjetër drejtim, falë pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë. Këto pamje ndihmuan në identifikimin e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
Në to, shihet i dyshuari Ilirjan Selmani duke dalë nga një rrugicë rreth orës 05:30 të mëngjesit dhe duke hedhur në kazanin e mbeturinave një send, që më vonë rezultoi të ishin rrobat e tij.
Policia kriminale ka bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes dhe më pas është rikthyer sërish në vendin e krimit bashkë me Selmanin, i cili dyshohet të ketë rrëfyer dinamikën e plotë të asaj që ndodhi. Nën shoqërimin e forcave të shumta policore, ai ka treguar edhe vendin ku hodhi rrobat, pranë bulevardit kryesor të qytetit.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se 37-vjeçari Ilirjan Selmani kishte një lidhje intime me viktimën, dyshim që forcon pistën e një krimi pasioni. Hetimet janë në vijim.


