Një tjetër monument kulture në Korçë pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje emergjente pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet. Pas raportimit të bërë nga Vizion Plus, ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes rrjeteve sociale.
Kulla e Turanit, e prekur nga kushtet e pafavorshme atmosferike, është përfshirë në listën e objekteve në risk të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë. Falë fondit të dedikuar për ndërhyrje emergjente, pritet që shumë shpejt të nisë procesi i restaurimit, i cili do të fokusohet në masa konsoliduese dhe restauruese.
Sipas autoriteteve, ndërhyrja do të realizohet në përputhje të plotë me parimet e restaurimit konservues, duke ruajtur autenticitetin dhe vlerat historike të monumentit.
Kulla e Turanit mbetet një pasuri e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të qytetit të Korçës, ndërsa ndërhyrja synon jo vetëm ndalimin e degradimit të mëtejshëm, por edhe mbrojtjen afatgjatë të këtij objekti me vlera historike.


