Qindra familje të Mokrës marrin sot një lajm të mirë: Gjykata i ka hapur rrugë investimit në këtë zonë në një aks rrugor mjaft jetik nga Proptisht në Slabinjë loti i parë deri në Velçan më pas loti i 2-të. Njoftimin e ka bërë në faqen e saj zyrtare Bashkia e Pogradecit duke njoftuar se së shpejti nis puna.
Kolibri.al arriti të mësojë se Gjykata ka rrëzuar ankesën e Komisionit të Prokurimeve Publike i cili kishte dërguar në gjykatë procedurën e realizuar nga bashkia e Pogradecit me pretendimin se procedura ishte e pasaktë. Mirpo ky prretendim është hedhur poshtë nga gjykata e cila i ka dhënë të drejtë bashkisë dhe në vendim ka kërkuar lidhjen sa më shpejt të kontratës me firmën Albavia shpk dhe nisjen e punës.
I gjithë ky proces ka vonuar me të paktën 1 vit nisjen e punimeve thanë burimet për Kolibrin. Herë pas here ne e kemi ngritur shqetësimin e rrugëve problematike në Mokër dhe ky është një lajm i mirë për këdo që e ka vuajtur gjendjen e tyre në këto vite.

Postimi i bashkisë Pogradec:
Lajm shumë i mirë! Gjykata i hap rrugë investimit në aksin Ura e Zëmçës-Proptisht-Slabinjë. Pas muajsh të tërë gjykimi dhe mbrojtjes shumë të mirë nga juristët e bashkisë, u vendos përfundimisht që të lidhet kontrata me kompaninë fituese dhe së shpejti të nisë zbatimi investimit aq të kërkuar dhe të merituar për mokrarët. Një investim që duhet të kishte nisur tashmë por për shkak se çështja u dërgua në gjykata shkaktoi edhe vonesë të tillë.


