Pika fundore e trajtimit të mbetjeve, e cila u shërben të gjitha bashkive të qarkut Korçë, vijon të konsiderohet një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërbashkiak, inovacionit dhe edukimit mjedisor. Falë administrimit efikas dhe përdorimit të teknologjisë së duhur, landfilli i Maliqit operon sipas standardeve më të larta në menaxhimin e mbetjeve urbane.
Procesi i trajtimit të mbetjeve shoqërohet edhe me programe ndërgjegjësimi, veçanërisht për të rinjtë, duke nxitur kulturën e mbrojtjes së mjedisit, ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklimin.
Paralelisht, Ministria e Mjedisit po avancon projektin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, i cili do të mbështesë bashkitë në administrimin e pikave fundore, duke u krijuar më shumë hapësirë për fokus në praktikat e riciklimit.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Ministrisë së Mjedisit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, në landfillin e Maliqit parashikohet një paketë e re investimesh.
Projekti përfshin ndërtimin e dy qelizave të reja për trajtimin e mbetjeve, të cilat do të garantojnë kapacitete të mjaftueshme për një periudhë 20-vjeçare për zonën e menaxhimit të mbetjeve të qarkut Korçë, duke forcuar më tej sigurinë mjedisore dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit.


