Leskoviku, i njohur sot si një qytet i vogël me rreth 4200 banorë, ka pasur një histori të pasur dhe një të kaluar me rëndësi të madhe tregtare e administrative. Në fillimet e viteve 1800 ai u krijua si qendër pushimi dhe verimi për pushtetarët otomanë, ndërsa më vonë u kthye në qendër Kazaje dhe deri në qendër Sanxhaku, sipas “Enciklopedisë” së Sami Frashërit.
Si njësi administrative, Leskoviku ka pasur në varësi krahinën e tij, Përmetin dhe Pogonin. Popullsia arriti kulmin në vitet 1910 me afro 10 mijë banorë dhe 11 lagje. Nga vitet 1920 deri në vitin 1944 shërbeu si nën-prefekturë në varësi të Prefekturës së Korçës, duke u bërë një pikë e fuqishme doganore me Greqinë.
Përmes tij kalonte një nga rrugët më të përdorura tregtare të kohës, që lidhej me Greqinë e më tej me Turqinë, ku pika e Tre Urave ishte nyja lidhëse kryesore. Në periudhën 1800-1940 qyteti zhvilloi një aktivitet të fuqishëm tregtar.
Deri në vitin 1956, Leskoviku mbajti statusin e “Rrethit”, por më pas regjimi komunist e shkriu si njësi më vete, për arsye që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet me Greqinë, duke e kaluar në varësi të rrethit Kolonjë.
Sot, ky qytet mbart një histori të pasur, që nga lavdia si qendër e rëndësishme tregtare e deri te realiteti i një vendbanimi të vogël, por me kujtesë historike të madhe.


