Në fshatin turistik të Linit në Pogradec u zhvillua edicioni i tretë i Lin Festival, një ngjarje që bashkoi artin, traditën dhe historinë, duke krijuar një atmosferë të gjallë për banorët dhe vizitorët. Festivali mblodhi qindra pjesëmarrës vendas dhe të huaj, të cilët zgjodhën të pushojnë në këtë vendbanim unik, të njohur si më i vjetri i tipit palafit në Europë.
Për disa ditë me radhë, muzika, vallet dhe trashëgimia kulturore shqiptare u shkrinë në një udhëtim emocionues në kohë. Organizatori i festivalit, Altin Tila, theksoi se synimi kryesor është ripërtëritja e traditave dhe përcjellja e tyre te brezat e rinj, duke e kthyer Linin në një pikëtakim kulturor që shkon përtej argëtimit.
Në skenën e festivalit performuan emra të njohur si tenori Adhurim Grezda, kantautori Adhurim Demiri, sopranoja Nina Muho, Blerina Shera dhe Stefano di Matteo, duke i dhënë një ngjyrim të veçantë artistik netëve të Linit.
Një tjetër atraksion ishte ekspozita fotografike e sjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, me veprat e mjeshtrave korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci. Portrete, peizazhe dhe çaste të rralla të juglindjes shqiptare të fillimshekullit XX u prezantuan nën dritat e festivalit, duke krijuar një përjetim të veçantë për publikun.
Ky është viti i dytë që DPA bëhet pjesë e Lin Festival, duke afruar thesaret e arkivave pranë komunitetit dhe duke i dhënë festivalit një dimension historik dhe kulturor edhe më të thellë.


