Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë po vijon me zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese në kuadër të fushatës “Maji, Muaji i Matjes së Presionit Arterial”. Aktivitetet janë zhvilluar pranë institucioneve publike si Zyra e Punës Korçë, Drejtoria e Doganave dhe Posta Shqiptare.
Qëllimi i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e matjes së rregullt të presionit të gjakut dhe ofrimi i shërbimeve falas për kontrollin e tij, si dhe këshillim mbi mënyrat për të parandaluar hipertensionin.
Hipertensioni (presioni i lartë i gjakut) është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, si infarkti dhe goditja në tru. Shpesh ai nuk shfaq simptoma dhe për këtë quhet “vrasësi i heshtur”.
Matja e rregullt e presionit të gjakut është një veprim i thjeshtë, por jetik, që ndihmon në zbulimin dhe menaxhimin e hershëm të hipertensionit.
NjVKSh Korçë inkurajon të gjithë qytetarët të jenë proaktivë për shëndetin e tyre, duke përfituar nga shërbimet e ofruara gjatë fushatës dhe duke e bërë kontrollin e presionit të gjakut pjesë të kujdesit të përditshëm.


