Përshtatën një lokal në fshatin Vashtmi, për të luajtur Poker, arrestohen pronari i lokalit dhe bashkëpunëtori i tij.
Procedohen në gjendje të lirë 12 shtetas që u kapën duke luajtur në lokal.
Sekuestrohen 1 tavolinë Pokeri, letra bixhozi, 4 celularë dhe shuma parash të përfituara nga loja.
Si rezultat i kontrollit të kryer në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për përshtatjen e një lokali në fshatin Vashtmi, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq finalizuan operacionin policor të koduar “Bet25”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi O. C., 48 vjeç, si dhe bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. L., 31 vjeç.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 12 shtetas që u kapën duke luajtur në ambientet e lokalit, në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.