Portieri 25-vjeçar i Skënderbeut, Marko Alia, po përjeton një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, pas një sezoni mjaft të suksesshëm me skuadrën korçare ku ka spikatur me pritje vendimtare dhe paraqitje të sigurta. Këto performanca i kanë hapur dyert e një aventure të mundshme jashtë Shqipërisë.
Aktualisht, pista më konkrete është ajo nga Azerbajxhani, ku klubi Turan Tovuz ka shprehur interes serioz. Bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar dhe flitet për një marrëveshje dyvjeçare. Kontrata parashikon një pagë prej 80 mijë euro në sezonin e parë, me mundësi rritjeje deri në 100 mijë euro për vitin e dytë.
Ndërkohë, Alia ka qenë në radarin e disa klubeve të njohura europiane, si Bochum në Gjermani dhe Slovan Bratislava në Slloveni. Megjithëse këto bisedime nuk u konkretizuan gjatë merkatos së verës, burime pranë lojtarit tregojnë se pistat mbeten të hapura, sidomos në prag të afatit kalimtar të janarit.
Për momentin, oferta nga Azerbajxhani duket më afër realizimit, por e ardhmja e gardianit pritet të qartësohet në ditët në vijim, në varësi të vendimit që do të marrin lojtari dhe përfaqësuesit e tij.
Nga ana tjetër, Skënderbeu rrezikon të humbasë një nga pikat më të forta të skuadrës nëse transferimi i Alisë zyrtarizohet.


