Edicioni i 8-të i MIK Festival u mbyll mbrëmë në Korçë me një natë të paharrueshme kushtuar serenatës korçare. Atmosfera magjike, e mbushur me emocion dhe nostalgji, solli në skenë tingujt e këngëve të rrugicave të qytetit, duke e shndërruar mbrëmjen në një festë të kujtesës dhe dashurisë për muzikën tradicionale.
Kristaq Pula, një prej figurave më të shquara të serenatës, interpretoi një nga këngët më të dashura të këtij zhanri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së saj ashtu siç ka lindur – e pastër, e ndjerë dhe plot shpirt. Po ashtu, Jorgjeta Lalazi emocionoi publikun me interpretimin e saj të ndjerë, duke dëshmuar se serenata mbetet një pjesë e gjallë e identitetit kulturor të Korçës.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte ardhja nga Bostoni e këngëtares Roberta Panariti, e cila tregoi se edhe në diasporë serenata vazhdon të jetojë në çdo familje korçare, si një kujtim i gjallë dhe një shprehje e dashurisë për qytetin e origjinës.
Për katër net radhazi, artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës sollën në Korçë një festival të jashtëzakonshëm, duke kthyer qytetin dhe fshatrat turistikë përreth në një skenë gjallëruese të muzikës dhe artit.


