Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, zhvilloi një vizitë në Qendrën Shëndetësore të Maliqit, e cila është kthyer në një model të kujdesit shëndetësor modern dhe të integruar për komunitetin.
Në kuadër të projektbuxhetit 2026, që parashikon mbi 1 miliardë euro për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, ministrja deklaroi se në të gjithë vendin do të realizohet rikonstruksioni i 100 qendrave shëndetësore, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e shërbimeve cilësore pranë qytetarëve.
Në Maliq, shërbimet janë zgjeruar me programin e depistimit të shikimit për fëmijët, një nismë e re që synon zbulimin dhe parandalimin në kohë të problemeve të syve. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, në të gjithë NJVKSH Korçë janë kryer 1000 depistime të shikimit për fëmijët e grupmoshave të ndryshme.
“Ky është një shembull i kujdesit shëndetësor që duam të ofrojmë në çdo cep të vendit — afër njerëzve, me infrastrukturë të përmirësuar dhe me programe parandaluese që mbrojnë shëndetin e brezave të rinj”, u shpreh ministrja Sala gjatë vizitës.
Projekti i investimeve për vitin e ardhshëm pritet të përfshijë edhe zgjerimin e shërbimeve diagnostike dhe dixhitalizimin e plotë të sistemit të kujdesit parësor në zonat rurale.


