Vazhdimisht në postimet tona kemi qenë kritikë në lidhje me rrugët e Mokrës në Pogradec, herë pas here banorët dënonconin se akset kryesore që lidhin fshatrat e njësive ishin në mëshirë të fatit. Në fakt historikisht Mokra si ajo e poshtëme edhe ajo e sipërme nuk kishte njohur asfalt në rrugët rurale.
Tashmë duket se erdhi ora pas 34 vitesh demokraci, kur për vite me rradhë të majtë e të djathtë vetëm sa i kishin ushqyer me lugë bosh mokrarët, diçka po lëviz.
Mjë projekt për rrugën që lidh Proptishtin me Slabinjën nisi muaj më parë dhe tashmë aksi prej 6 km po asfaltohet, kjo punë do i japë frymëmarrje zonës, banorëve, mësuesëve por edhe agroturizmit.
Ndërkohë që dy qendrat Proptisht e Slabinjë do të kenë rrugë me trotuare dhe sheshe të shtruara si pjesë e projektit.
Por jo vetëm kaq, drej përfundimit është edhe zgjerimi i rrugës nga Slabinja drejt fshatit turistik të Bishnicës si pjesë e projektit “Rrugë të Bardha” financuar nga qeveria, në këtë segment është bërë zgjerim dhe mbushje rruge e bashkë me to edhe urat një investim që ka lehtësuar shumë lëvizjen e banorëve.
Tashmë banorët e njësive Velçan e Proptisht kanë një hallë më pak koke, rruga kryesore qoftë një ogur i mirë edhe për rrugët dytësore.
Ndërsa në Qershor-Korrik pritet edhe dorëzimi i aksit Qukës-Qafë Plloçë, Mokra duhet të nisë nga puna përgatitjet për turizëm malor.
Burime thanë për kolibri.al se tashmë në Bishnicë, Velçan fshatrat e tij dhe të Proptishtit ka përfunduar edhe furnizimi me ujë 24 h një tjetër projekt i zbatuar në 2 vitet e fundit.


