Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë festoi 45-vjetorin e çeljes së tij, duke kujtuar një datë historike dhe një rrugëtim të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
I hapur në prill të vitit 1980, në një kohë kur regjimi komunist ndërmerrte një fushatë të gjerë kundër fesë dhe objekteve të kultit, muzeu u vendos në mjediset e kishës “Burimi Jetëdhënës” në zemër të qytetit të Korçës.
Prof. Dr. Pirro Thomo, studiues i arkitekturës së kultit dhe restaurator, theksoi rëndësinë historike dhe artistike të veprave të ruajtura në këtë muze, të cilat dëshmojnë jetën shpirtërore dhe historinë e popullit shqiptar ndër shekuj.
Në fjalën e saj, drejtoresha e muzeut, znj. Fjoralba Prifti, u shpreh se Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar mbetet një gur themeli i identitetit tonë kulturor, një pasuri e çmuar që lidh të shkuarën me të ardhmen përmes gjuhës së përjetshme të artit.


