Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi, ka reaguar ndaj miratimit të projektligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar atë si një nismë të imponuar dhe jo si nevojë të vërtetë të shoqërisë shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se procesi i konsultimeve publike nuk ka marrë parasysh qëndrimet e komuniteteve fetare, ndërsa ligji është miratuar “për t’iu përshtatur kërkesave të Bashkimit Europian”.
“Ne kemi kërkuar që të ruhet vlera e familjes, por asnjë nga vërejtjet tona nuk u mor parasysh. Ata që e votuan thanë se kështu kërkonte BE-ja, pra jo si nevojë reale, por si imponim”, deklaroi Cikalleshi.
Sipas tij, Shqipëria përballet me probleme më urgjente, si emigracioni dhe zhvillimi ekonomik, ndërsa çështjet e barazisë gjinore nuk janë prioritet kombëtar.
“Kemi disa vite që nuk përfitojmë nga fondet IPARD të BE-së, jo për mungesë të ligjit për barazinë gjinore. Edhe tani që u miratua, nuk besoj se fondet do të vërshojnë”, shtoi ai.
Myftiu nënvizoi se komunitetet fetare përpiqen të mbrojnë familjen dhe shoqërinë nga antivlerat, ndërsa paralajmëroi se pas këtij ligji mund të pasojnë nisma të tjera, si legalizimi i martesave të të njëjtës gjini.
“Në vende të tjera janë parë pasoja absurde nga nisma të tilla. Këto çështje janë të gabuara fetarisht dhe shkencërisht. Nuk ka teori që njeriu lind në trup të gabuar”, u shpreh ai.
Cikalleshi kritikoi gjithashtu faktin që komunitetet fetare janë të përjashtuara nga procesi edukativ moral i fëmijëve, ndërsa “agjenda ideologjike” të tjera po marrin hapësirë në shkolla.
“Sa më të vegjël fëmijët, aq më e lehtë është të ndikohen për trajtime hormonale apo operacione që i përshtatin me ideologjinë e tyre”, përfundoi myftiu i Korçës.


