Policia e qarkut Korçë ka bërë me dije një sërë rastesh të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit, që kanë përfshirë aksidente, raste të vetëgjyqësisë dhe procedime për lëndë narkotike.
Në vijim të aksidentit të ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor “Korçë–Bilisht”, ku humbi jetën një 66-vjeçar, është arrestuar në flagrancë drejtuesi i automjetit që shkaktoi përplasjen, shtetasi S. M., 38 vjeç, nga Tropoja, i akuzuar për “Shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Në një tjetër rast, u proceduan penalisht dy të rinj nga Korça, E. H., 21 vjeç dhe A. B., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tyre, efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën një sasi të vogël kanabisi dhe një armë lodër.
Po ashtu, është proceduar shtetasi B. H., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka penguar një bashkëpronar për të lidhur linjën e ujit të pijshëm në një pronë që është objekt gjyqi.
Ndërkohë, Policia e Kolonjës ka shpallur në kërkim shtetasin O. M., 46 vjeç, i cili akuzohet se ka kanosur, përndjekur dhe goditur dy persona në qytetin e Ersekës.
Një tjetër rast u referua në Prokurorinë e Korçës ndaj shtetasit E. L., 44 vjeç, nga Prrenjasi, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet për të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë e Korçës, për veprime të mëtejshme hetimore.


