Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka bërë me dije një sërë ngjarjesh të ndodhura gjatë ditëve të fundit në qytetet e qarkut.
Në Korçë, është arrestuar në flagrancë 33-vjeçari E. A., banues në fshatin Desmirë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Po ashtu, policia ka referuar materialet në Prokurori për një rast aksidenti në lagjen nr. 17, ku një drejtues mjeti tip “Toyota” ka përplasur lehtë një këmbësore dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në Maliq, një 38-vjeçar, punonjës i një firme pastrimi, është dëmtuar lehtë pasi ka rënë aksidentalisht nga karroceria e automjetit të punës. Ndërkohë, policia e Korçës ka identifikuar dhe proceduar penalisht shtetasit V. L., 40 vjeç, dhe V. R., 51 vjeç, për thyerjen e xhamave të derës së një banese, duke u akuzuar për “Shkatërrim prone”.
Po në Korçë, është regjistruar një rast vjedhjeje në banesë në lagjen nr. 10, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve.
Në Pogradec, më datë 27 tetor, një zjarr i rënë aksidentalisht në banesën e një shtetasi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


