Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, konfirmoi se Spitali i ri rajonal i Korçës do të ndërtohet, duke u bërë një nga investimet më të rëndësishme të Buxhetit 2026 dhe duke hapur një kapitull të ri për shërbimin shëndetësor në juglindje të vendit.
Përmes nje postimi në rrjetet sociale Peleshi bëri të ditur se godina e re do të jetë moderne dhe e ndërtuar nga e para, me urgjencë multifunksionale dhe pediatrike, pavione të reja, katër salla operacioni, reanimacion dhe për herë të parë pavionin e Hemodinamikës, që do të sjellë standarde europiane në trajtimin mjekësor.
“Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve për qytetarët e Korçës dhe të gjithë rajonit juglindor, duke e afruar sistemin tonë shëndetësor me praktikat më të mira të Bashkimit Europian”, ka shkruar më tej Peleshi.


