Në ambientet e Këshillit të Qarkut Korçë ka nisur edicioni i parë i konkursit “Gjuha Ime”, një aktivitet i veçantë që zhvillohet në kuadër të muajit të alfabetit shqip. Për disa ditë me radhë, mbi 60 nxënës të shkollave 9-vjeçare nga i gjithë qarku do të testojnë njohuritë e tyre gjuhësore dhe kulturore, duke shprehur kreativitetin, pasionin dhe dashurinë për gjuhën amtare.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi, vuri në dukje rëndësinë e këtij konkursi për edukimin e brezave të rinj me vlerat gjuhësore dhe identitare të kombit, si dhe për forcimin e lidhjes me trashëgiminë kulturore shqiptare.
Finalja e madhe do të zhvillohet të premten, ku do të shpallet fituesi i edicionit të parë. Për ta bërë garën edhe më tërheqëse, çdo shkollë pjesëmarrëse do të ketë një grup mbështetës që do të performojë me këngë, valle dhe instrumente muzikore, duke sjellë një atmosferë festive dhe plot gjallëri.
Ky aktivitet synon të kthehet në një traditë vjetore që promovon dashurinë për gjuhën shqipe dhe frymën e shëndetshme të konkurrencës ndërmjet nxënësve të qarkut Korçë.


