Konstadin Dramolli, një 26-vjeçar nga Korça, i njohur ndryshe me nofkën “Çekiçi 14”, ka marrë vëmendje të gjerë pasi dy ditë më parë goditi dhe theu xhamat e Bashkisë së Korçës në shenjë proteste ndaj aksionit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike.
Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt nga vetë ai në rrjetet sociale, duke u bërë virale dhe duke hapur debat për mënyrën e shprehjes së revoltës qytetare. Në një video-mesazh, Dramolli tha se veprimi i tij ishte i qëllimshëm dhe i justifikuar.
“E bëra viral sepse populli nuk duhet të flejë gjumë. Duhet të çohet dhe të tregojë karakter. Mua më shkatërruan lagjen, lokalet, tavolinat ku ushqehen njerëz të varfër,” – u shpreh ai.
I riu, i cili deklaron se merret me muzikën rep dhe ka një të kaluar në burg, thotë se nuk pendohet për aktin e kryer. Ai e sheh si një qëndresë ndaj padrejtësisë sociale dhe vendimeve që sipas tij dëmtojnë shtresat në nevojë.
“Nuk pendohem, ishte një vendim i drejtë. Edhe burg po bëra, nuk më vjen keq. Jam rritur në geto dhe e di çfarë do të thotë të mos kesh,” – shton ai, duke kërcënuar se mund të ketë përshkallëzim të protestave nëse situata nuk ndryshon.
Ndërkohë, policia ka nisur procedurat për ndjekjen penale të të riut, ndërsa ngjarja ka ngjallur reagime të forta publike, mes mbështetjes nga disa qytetarë dhe kritikave për mënyrën e dhunshme të protestës.


