Nga fshati Zvirinë, në zemër të juglindjes, drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, ka dhënë një mesazh për unitet dhe bashkëpunim në këtë moment të rëndësishëm për vendin, në një kohë që e cilësoi si historike për të ardhmen e Shqipërisë. Peleshi theksoi rëndësinë e bashkimit përtej ndasive politike, duke vendosur në qendër të fjalës së tij besën dhe lidhjen e fortë që njerëzit e kësaj zone kanë me vendin dhe njëri-tjetrin.
“Jemi në një moment historik. Jemi në një moment të madh për vendin. Prandaj duhet të bashkohemi”, u shpreh ai, duke vënë theksin te nevoja për të lënë pas përkatësitë partiake dhe për të gjetur pika takimi në interes të së ardhmes.
Peleshi zgjodhi Zvirinën për këtë mesazh, duke e konsideruar këtë fshat si një nga vendet ku bashkimi ka pasur gjithmonë kuptim dhe ku fjala e dhënë është e shenjtë. “Këtu ka pasur momente ku kemi bërë besa-besë. Këtu jemi ulur me burrat, me njerëzit që e mbajnë fjalën dhe me të gjithë komunitetin që e ka ndërtuar jetën mbi besimin dhe fjalën e mbajtur”.
Në fjalën e tij, ai ndau edhe një aspekt të rëndësishëm të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Korçës. “Jam shumë i kënaqur që këtë herë, në listën tonë janë të gjithë kandidatë nga Korça. Thuajse të gjithë jetojnë dhe punojnë në këtë qytet. Ka një përparësi të madhe kur kandidatët janë të lindur, të rritur dhe të lidhur me zonën e tyre. I kuptojnë më mirë problemet dhe nuk i marrin pozicionet si privilegj për të menduar se i dinë të gjitha”, tha ai.
Në përmbyllje, Peleshi i bëri thirrje banorëve të Zvirinës që më 11 maj të mbështesin Partinë Socialiste dhe vizionin e saj për Shqipërinë europiane. “Vetëm të bashkuar, vetëm me një mazhorancë të fortë dhe me një qeverisje të qëndrueshme mund të ecim përpara. Partia Socialiste është forca që i ka dhënë dhe do t’i japë Shqipërisë drejtimin e duhur”, u shpreh ai.


