Në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” u shfaq dje premiera e dramës “Përtej Horizontit” të Eugene O’Neill, një nga veprat më të ndjera të dramaturgjisë botërore, e sjellë me mjeshtëri nga regjisori Silvio Goskova.
Vepra ngjalli emocione të forta tek publiku, duke reflektuar mbi ëndrrat, dashurinë, fatin dhe kufijtë e zgjedhjeve njerëzore. Regjisori Goskova u shpreh se kjo dramë është një udhëtim i brendshëm që prek çdo njeri, sepse flet për atë që humbasim teksa ndjekim ëndrrat tona. “Është një thirrje për të parë përtej vetes, përtej horizontit të zakonshëm” u shpreh Goskova.
Emocionet pas shfaqjes kanë ndarë edhe disa nga aktorët e kësaj shfaqjeje të cilët kanë vlerësuar bashkëpunimin me regjisorin Goskova dhe pritjen e publikut korçar.
“Përtej Horizontit” do të vijojë të shfaqet në datat 1 dhe 2 nëntor, duke ftuar publikun të përjetojë një vepër të rrallë mbi natyrën njerëzore dhe fatin që s’mund të shmanget.


