Në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë u përurua “Laboratori i Turizmit dhe Mikpritjes”, një investim modern dhe multifunksional që synon të rrisë cilësinë e arsimit dhe trajnimit profesional në fushën e turizmit dhe hotelerisë.
Ky laborator është realizuar falë një bashkëfinancimi mes Universitetit “Fan S. Noli” dhe La Fondation pour la Formation Hôtelière, me të cilën institucioni ka një bashkëpunim prej mbi 14 vitesh.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë rektori i universitetit, prof. dr. Lorenc Ekonomi, dekania e Fakultetit të Ekonomisë, prof. as. dr. Ledina Alolli, drejtues të universitetit, përfaqësues të pushtetit vendor, Shkolla Profesionale Shërbime Korçë, përfaqësues të bizneseve turistike të rajonit, staf akademik dhe studentë.
Gjatë aktivitetit u theksua se laboratori do të shërbejë si një platformë praktike për studentët e programeve të turizmit dhe mikpritjes, si dhe si një qendër trajnimi për stafet e bizneseve turistike, duke kontribuar në rritjen e aftësive profesionale dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit në industrinë e mikpritjes.
Koordinatorja e projektit, dr. Alma Zhilla, theksoi rëndësinë e partneritetit me La Fondation pour la Formation Hôtelière, që ndër vite ka ndihmuar në forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e turizmit dhe hotelerisë.
Në vijim, ish-studentë të Departamentit Marketing-Turizëm realizuan disa demonstrime praktike, duke prezantuar një pjesë të trajnimeve që do të zhvillohen në laborator, me synim ofrimin e një qasjeje më realiste dhe cilësore në formimin profesional.
Ky laborator përfaqëson një shembull frymëzues të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe institucional, duke sjellë rezultate konkrete në shërbim të arsimit dhe zhvillimit të turizmit në rajon.



