Shërbimet e Policisë Kufitare në Pogradec i erdhën në ndihmë dy shtetasve, të cilët kishin mbetur në ujërat e liqenit të Ohrit me një pedalinë dhe nuk po arrinin të ktheheshin në breg për shkak të lodhjes.
Ndërhyrja e Policisë Kufitare gjatë patrullimit
Ngjarja ka ndodhur gjatë patrullimit të zakonshëm të efektivëve në sektorin liqenor, në zonën përballë vendit të quajtur “Ura”. Shërbimet e policisë kanë pikasur dy personat që po kërkonin ndihmë, pasi kishin dalë në liqen për t’u larë me një pedalinë të marrë me qira. Njëri prej tyre, si pasojë e lodhjes fizike gjatë notimit, e ka pasur të pamundur të hipte përsëri në mjetin ujor.
Efektivët janë afruar menjëherë duke bërë të mundur lokalizimin dhe shoqërimin e tyre të sigurt drejt bregut. Pas mbërritjes në tokë, dy qytetarët falënderuan punonjësit e policisë për shpejtësinë dhe profesionalizmin e treguar. Policia Kufitare rikonfirmoi angazhimin e saj në shërbim të banorëve e turistëve dhe rikujtoi se për çdo emergjencë qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.


